TIRANE – Pas protestave të banorëve në fshatin Hudënisht të Pogradecit, kundër vendimit për prishjen e banesave të tyre, për shkak të projektit për rehabilitimin e liqenit të Ohrit, ka reaguar edhe Partia Demokratike, duke akuzuar qeverinë për vendime të paligjshme dhe arbitrare. Nënkryetari dhe deputeti i PD-së Edmond Spaho publikoi dokumentacionin e plotë që sipas tij, vërteton paligjshmërinë e qeverisë me prishjet e ndërtimeve në Hudhënisht.

“Prej dy javësh, qindra banorë të Komunës Hudënisht po jetojnë me makthin e prishjes së banesave dhe pronave te tyre të ligjshme. Mediat kanë qënë dëshmitare të protestave të banorëve të cilët dëshpërimisht po përpiqen dikush t’i dëgjojë dhe kërkojnë që fati i banesave dhe pronave të tyre të përcaktohet nga veprimi i ligjit dhe vetëm i ligjit dhe jo nga arbitrariteti i zyrtarëve shtetërore. Ju kemi njohur me marreveshjen midis Komunës Hudenisht dhe Ministrisë së Turizmit ku Kryetari i Komunës Hudenisht Durim Toska, kërkon të prishen 53 shtëpi banimi dhe prona të ligjshme në mënyrë që të realizohet projekti i tij i quajtur “Rehabilitimi i bregut të liqenit të Ohrit dhe gjelbërimi përgjatë segmentit Lin-Pogradec”. Ju kemi njohur me njoftimin për shpronësim publik të bërë nga Kryetari i Komunës Hudenisht Durim Toska për 53 individët pronarë të shtëpive dhe bizneseve, njoftim i nxjerrë jashtë të gjitha kompetencave dhe në shkelje të të gjitha procedurave dhe afateve të përcaktuara në ligjin për shpronësimet publike. Ju kemi njohur me praktikat haxhiqamiliste me të cilat INUK njofton verbalisht qytetaret e pronave te ligjshme, se do te vije pas dates 16 Dhjetor tjua beje ato pluhur dhe hi. I vetmi rast i komunikimit me shkrim nga INUK për prishjen e pronave të tyre të ligjshme është kjo letër bakalli e shkruar me dorë.”- deklaroi Spaho.

“Të gjithë dokumentacionin e mesipërm e kemi vënë në dispozicion të medias dhe të bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë. Sot po ju njohim me një tjetër dokument ku mund të shihni jo vetëm gjendjen tragjike në të cilën ndodhen këta qytetarë, pasojë e arbitraritetit dhe moszbatimit të ligjit për shpronësimin publik, por edhe anën komike të shtetit Rilindas dhe të pelivaneve të tij.”- tha ai.

Deputeti demokrat lexoi edhe një letër që sipas tij, kryetari i Komunës Hudënisht, përfaqësues i PS, i ka dërguar kryeministrit: “Unë, Kryetar i Komunës Hudënisht, me tagrin ligjor që më jep ky pozicion si përfaqësues i Komunës Hudënisht, si person juridik dhe si përfaqësues i komunitetit, kërkoj të ndalohen shpronësimet me justifikimin e interesit publik, pasi po dëmtohet dhe po shkatërrohet prona private e këtyre njerëzve të ndershëm që po hidhen në mes të rrugës në kushte çnjerëzore familje të tëra. Ky shpronësim është shkatërrues për ekonominë e këtij komuniteti dhe hap një plagë sociale të pariparueshme. Unë e vendos veten time si person, po ashtu edhe si përfaqësues i Komunës Hudënisht, krahas këtyre banorëve dhe kundër shpronësimit dhe shkatërrimit të pronës private”.

“Nuk po bëj asnjë koment pasi cfarëdo që të them nuk mund ta shpreh me qartë dhe më ashpër se sa e ka shprehur Kryetari Socialist por njëkohësisht dhe pelivan i Komunës Hudënisht.

Kryeministrit i propozojmë te ndërmarrë dy veprime:

1.Të ndërpresë procesin e jashtëligjshëm të iniciuar nga autoritetet shtetërore, të cilat po terrorizojnë prej dy javësh 53 familje dhe biznese me prishjen e pronave të tyre të ligjshme, në emër të të ashtuquajturit projekt “Për Rehabilitimin e bregut të liqenit të Ohrit dhe gjelbërimit përgjatë segmentit Lin-Pogradec” që thuhet se është iniciativë e Komunës Hudenisht dhe ta fusë atë në binarët e ligjshmërisë sikurse kërkojnë banorët e zonës.

2.Për të treguar qoftë edhe pak dinjitet nga shteti që ai drejton, të shkarkojë zëvëndësministrin e Ministrisë së Turizmit, Kryetarin e Komunës Hudënisht dhe Drejtorin e INUK-ut Korçë si iniciuesit dhe zbatuesit e përpjekjeve për shkatërrimin e paligjshëm të banesave dhe pronave të 53 familjeve dhe bizneseve në Komunën Hudenisht.

Ftojmë Prokurorinë e Pergjithshme të fillojë hetimet për këtë rast flagrant të shkeljes të Kushtetutës së vendit dhe ligjit për shpronësimet publike, për të hedhur plotësisht dritë mbi autorët e vertetë të kësaj aferë me sfond të qarte kriminal dhe korruptiv.”- deklaroi Spaho.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: